Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin J.SH, i dyshuar se ka marr pjesë në kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullatës civile në bashkëkryerje”.
Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit J.SH.
“Gjykata, vlerësoi se ekzistojnë kushtet dhe arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, respektivisht përpos dyshimit të bazuar në rastin konkret ekziston edhe rreziku i ikjes së të pandehurit, si kusht për caktimin e paraburgimit, i njëjti lehtë mund të arratiset dhe t’i shmanget ndjekjes penale, pasi kemi të bëjmë me një vepër penale të rëndë e komplekse dhe rreziku real i shmangies nga ndjekja penale e të pandehurit J.SH është më se evidente”, thuhet në njoftim.