Një i vdekur dhe mbi 25 të lënduar në vendin e punës këtë fillimvit

Ambienti e rrethanat në vendin e punës po cënojnë jetën e mirëqenien e punëtorëve në Kosovë.

Kjo pasiguri, shpesh herë po përfundon me fatalitet. Për dy muajt e parë të këtij viti, sipas Sindikatës së Sektorit Privat, janë mbi 25 raste të aksidenteve në vendin e punës, një prej të cilave përfundoi me fatalitet.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, konsideron se në vendin tonë siguria për punëtorët nuk është në nivelin e dëshirueshëm.

“…Institucionet përkatëse nuk u kanë kushtuar kujdesë të veçantë sigurisë në vendin e punës dhe fatkeqësisht vitin e kaluar kemi pasur një numër shumë të madh të rasteve të vdekjeve, por për herë të parë fatbardhësisht për këtë periudhë tri mujore kemi pasur vetëm një rast të vdekjes në vendin e punës. Realisht asnjëherë nuk mund të kemi një statistikë të saktë sepse punëtorët që lëndohen shpeshherë nuk guxojnë të deklarohen nga punëdhënësit e tyre, por, sipas të dhënave që ne i kemi në muajin janar e shkurt kanë qenë rreth 28 persona të lënduar…”, tha Azemi për rtv21

Kryeinspektori i Inspektoratit Qendror të Punës, Hekuran Nikçi, thotë se vazhdimisht po rrisin numrin e inspektimeve dhe shqiptimin e gjobave, në mënyrë që të ngrisin nivelin e sigurisë në punë. Ai tregon se cili sektor po hasë në më së shumti aksidente në vendin e punës.

“…sektori i ndërtimit është sektori më problematik apo aty ku ndodhin më shumë aksidente dhe vdekje, ku nga 11 vdekje që i kemi pasur vitin e kaluar 70% e tyre janë në sektorin e ndertimtarisë dhe për të parandaluar për këtë sektor, ne jemi fokusuar duke hartuar kërkesa specifikisht në inspektime të cilat do të targetojnë specifikisht arsyet që po ndodhin si: paisjet mbrojtëse personale të punëtorëve, hapësirat e ashensorëve të jenë të mbyllura në çdo subjekt që punon një kantier ndërtimi, hapësirat e shkallëve të jenë gjithashtu të mbyllura dhe gjithashtu punëtorët që punojnë në lartësi, të jenë të siguruar me rripa të sigurisë dhe të tilla kërkesa të cilat ne konsiderojmë se duhet të jenë prioritare me idenë për preventuar aksidentet dhe vdekjet…”, tha Nikçi.

Naim Bajraktari nga Kompania për Siguri dhe Shëndet në Punë, konsideron se kompanitë nuk janë aspak të përgjegjshme për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve të tyre.

“…mbrojtje dhe siguri për punëtorët ka shumë pak, pikë së pari vetëdijësimi është shumë i ulët tek punëdhënësit ose edhe tek punëtorët. Cdo punëdhënës që krijon një kompani, ai duhet ta ketë komponenten e parë për krijimin e kushteve për ata punëtorët, që do të thotë marrja e masave parandaluese, e marrja e masave është me krijimin e kushteve, parandalimin e rreziqeve të cilat janë gjithmonë prezente…”, tha Bajraktari.

Që nga viti 2004 deri në vitin 2021, sipas Inspektoriatit të Punës, kanë humbur jetën 232 persona në vendin e punës ose lidhur me punën.