Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica-Xhelili, përfundimisht i ka ndarë rrugët me këtë grup dhe me subjektin e saj, Listën Guxo.
Të mërkurën, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ajo do ta zyrtarizojë kalimin në partinë e Lumir Abdixhikut.
Lumir Abdixhiku ka bërë një goditje interesante, duke sjellë pranë vetës një prej deputeteve më aktive të legjislaturës aktuale, Doarsa Kica-Xhelilin.
Burime të Gazetës Experess thonë se sot një javë, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, do të zyrtarizohet kalimi i zonjës Kica në partinë e Abdixhikut.
Zonja Kica dha dorëheqje në fillim të verës nga Lista Guxo, e pakënaqur plotësisht me punët në këtë subjekt në tentativë, kurse edhe raportet me Grupin e saj, atë të VV-së, nuk ishin më të mirat e mundshme. Kjo si duket i ka hapur mundësinë LDK-së që të flasë me të dhe të shikojë mundësitë për bashkëpunim.
Zakonisht, deputetët e Opozitës i bashkohen pushtetit, por me rastin e zonjës Kica do të jetë ndryshe. Nga pushteti ajo do ta kalojë në Opozitë, pra në LDK.
Siç dihet, Doarsa Kica ishte lavdëruar për punën e saj në Komisionin për Media dhe sidomos për procesin e zgjedhjes së Bordit të RTK-së.
Ndryshe, Arben Gashi, Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, kishte thënë se janë disa deputetë që pritet t’i bashkohen partisë së Abdixhikut. Mbetet të shihet se kush do të jenë deputetët tjerë që do t’i bashkohen kësaj partie.
Të enjten, në një intervistë për emisionin “Pressing”, Lideri i LDK’së kishte lënë të kuptohet se është i interesuar që ta sjell në parti zonjën Kica.