Personat që vuajnë dënimet për vepra të ndryshme penale në Qendra Korrektuese në Kosovë, ka raste kur gjejnë mundësinë dhe arrijnë që të arratisen nga hapësirat e burgjeve.
Raste të tilla kanë qenë goxha të shpeshta në Burgun e Dubravës, por edhe në Qendrën për të mitur në Lipjan.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe gjatë ditës së sotme, ku një 16-vjeçar ka arritur të largohet dhe akoma nuk është kapur.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në mesditë, kur i mituri është arratisur nga kjo qendër, ku po vuante dënimin.
Sipas informacioneve të para, posa zyrtarët korrektues e kanë zbuluar se 16-vjeçari ka ikur, e kanë lajmëruar Policinë, por përkundër kërkimeve, policët ende s’kanë rënë në gjurmët e tij.
Lidhur me rastin, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e hetimit dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për arrestimin e të miturit dhe kthimin e tij në qendrën korrektuese.