Nis seanca në Strasburg ku do të shqyrtohet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës, këtu mund ta ndiqni LIVE

Në Strasburg të Francës ka nisur seanca në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ku do të diskutohet dhe shqyrtohet kërkesa e Kosovës për anëtarësim.

Kosova pret që Asambleja Parlamentare ta japë dritën gjelbër sot, ndërsa votimit do t’i paraprijë një diskutim dinamik, të cilin mund ta ndiqni direkt KËTU .

Lista e folësve që do të marrin pjesë në këtë diskutim përpara votimit, është publikuar më herët. Deputetët kosovarë Enis Kervan, Arben Gashi dhe Saranda Bogujevci do të jenë anëtarët e delegacionit të Kosovës që do të flasin në Amablenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Nga Shqipëria, ndërkaq janë katër përfaqësues që do ta marrin fjalën: Blerina Gjylameti, Lulzim Basha, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj.

Në listë janë gjithsej 59 përfaqësues nga shtete të ndryshme që do të flasin, ndër të cilët 6 serbë.

Në fillim, në emër të grupeve politike do të flasin Iulian Bulai nga Rumania, Alexis Tsipras nga Greqia, Frank Schwabe nga Gjermania, Ingjerd Schie Schou nga Norvegjia dhe Zsolt Nemeth nga Hungaria.

Më herët gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Europës i ka hedhur poshtë të gjitha amandamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Ndërsa dje në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Europës u votua unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim.

Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi ika plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.

Nëse Asambleja Parlamentare e jep dritën e gjelbër sot, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj.

Delegacioni i Kosovës në Strasburg është optimist se janë siguruar votat e nevojshme për ta kaluar edhe këtë rund në procesin e anëtarësimit.