Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi ndaj, gazetarit, Milaim Zeka i dyshuar për veprën penale “kanosje ndaj prokurorit”.
Zeka po akuzohet se në vitin 2018 në emisionin televiziv “DPT te Fidani” në televizionin T7, e ka kanosur prokurorin me fjalët “unë do ta ndjek këtë prokurorin tem, me gjyqe, me kanun dhe privatisht”, për shkak se ky i fundit kishte ngritur aktakuzë kundër tij për rastin e mashtrimit me viza.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 23 korrik 2019, kishte ngritur aktakuzë kundër Zekës për kanosje ndaj prokurorit e Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiun për shkak të detyrës zyrtare, i cili ndaj të pandehurit Zeka kishte ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe më 2 tetor 2018 ishte caktuar të mbahet seanca fillestare.
Sipas aktakuzës, Zeka e kishte kanosur prokurorin Shefkiun, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë.
Këtë padi ndaj tij, Zeka e kishte cilësuar si tentim për mbylljen e gojës përmes kërcënimit me burgosje dhe shantazheve.
“Ne kohen kur Kosova ka marre kritika te renda per shtypjen e lirise te shtypit, prokuror te nxitur nga klane politike, tentojne te na mbyllin gojen permes kercenime me burgosje, dhe shantazheve”, kishte deklaruar ai./Infokus