Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka kërkuar dje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që të merren masa rigoroze kundrejt zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, si dhe shtim të aktivitetit të inspektorëve sanitarë në terren.
Përmes një statusi në Facebook, Peci ka thënë që pas inspektimeve të ditës së djeshme në tërë territorin e e Kosovës, janë shqiptuar një numër i konsiderueshëm i gjobave.
“…Gjë e cila nuk na bën të lumtur. Mirëpo zbatimi i ligjit nuk ka alternativë. Së bashku me qytetarët si palë bashkëpunuese, le ta zbatojmë ligjin me qëllim që ta shndërrojmë Republikën tonë në një vend të jetueshëm e shtet të së drejtës”.
Tutje Peci ka kërkuar ndihmën e qytetarëve në zbatimin e këtij ligji.
“Ftojmë qytetarët që kudo që evidentojnë raste të mos-zbatimit të Ligjit për Duhanin, t’i raportojnë në numrin 080050095 që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e ka në dispozicion. Ska kthim prapa! STOP duhanit”, ka shkruar tutje ai.