Policia ka arrestuar dy persona në Fushë Kosovë, të cilët dyshohen për shitblerje të paautorizuar të narkotikëve, ndërsa është konfiskuar edhe një sasi e municionit.
Sipas policisë, të dyshuarit janë E.Xh., dhe A.I., ku gjatë ndalimit, i dyshuari A.L., e ka gëlltitur një qese të vogël me lëndë narkotike të llojit kokainë, të cilën paraprakisht e kishte blerë nga E.Xh..
“Me qëllim të sigurimit të provave të nevojshme, në konsultim me prokurorinë e krimeve të rënda Prishtinë, është kryer kontrolli i banesës së të dyshuarit E.XH., ku me këtë rast në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar :
“Substancë e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në 17 qese (16 te vogla të gatshme për shitje dhe 1 me sasi më të madhe) me peshë të përgjithshme prej 99.4 gramë. Një pako në të cilën kishte një lloj përzierësi që përdoret për shtimin e sasisë së kokainës me peshë prej 63 gramë.
“Një peshore digjitale që përdoret për matje precize në sasi të vogla dhe disa qese të zbrazura. Para të gatshme në vlerë 1750 Euro. 3 Armë automatike AK-47. 6 karikatorë Municion të llojeve të ndryshme në sasi prej 510 copë. 2 bajoneta dhe 8 pjesë të ndryshme për armë. Një palë dylbi dhe 2 këllëfë armësh dhe një telefon celular”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, policia ka bërë të ditur se vlera e përafërt e narkotikëve të konfiskuar llogaritet të jetë rreth 6 mijë euro, kurse i dyshuari E.Xh., është dërguar në mbajtje në lidhje me rastet, ndërsa i dyshuari A.I., është dërguar në mbajtje për disa urdhër arreste të mëhershme të cilat i kishte aktive.