Gazeta Sinjali raportoi sot për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur të martën në familjen Zhubi në Gjakovë, ku një grua është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj në rrugën ‘Bajram Curri’. Ky rast ka tronditur familjen e të ndjerës, teksa ende nuk dihen shkaqet e vdekjes. Lidhur me këtë rast, Policia tashmë ka nisur hetimet.
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Ganimete Zhubin, 67-vjeçare, e cila u gjet e vdekur në shtëpinë e saj, në orët e paradites të ditës së djeshme.
Posa rasti është raportuar, në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi mjekësor, ku pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku ka konstatuar që viktima ka ndërruar jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët në kuadër të veprimeve hetimore kanë marrë deklaratat e familjarëve, sipas të cilëve, e ndjera nuk ka pasur shenja dhune.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’ dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.