Një bluzë me shqiponjën në mes ishte arsyeja e një përplasjeje që kishte Afrim Zhitia me arsimtaren e gjuhës serbe qysh në shkollën fillore. Një nisje e revoltës së hershme, që do të kulmonte me rënien heroike të Zhitisë më 2 nëntor të vitit 1989. Nacionale sjell një rrëfim për figurën e Afrim Zhitisë, me detaje të pathëna nga vëllai i tij, Naim Zhitia.
Me bluzën me shqiponjë të cilën ia kishte kërkuar nënës së tij t’ia qep, Afrim Zhitia shkonte pothuajse çdo ditë në shkollën fillore. E kjo veshtje një ditë kishte çuar deri te një përplasje e ashpër e tash dëshmorit të kombit me arsimtaren e gjuhës serbe.
“Qysh në shkollë fillore Afrimi i ka pas thanë nënës me ia maru shqiponjën, xhemperin me shqiponjë në gjyks, edhe e ka marrë nana ia ka maru atë xhemper që ende e kujtojnë ata nxënësit në klas me të, ende e kujtojnë si dicka interesante.Në atë kohë ka qenë e vështirë”, nis rrëfimin e tij për Nacionalen vëllai i Afrim Zhitisë, Naimi.
Policia serbe në atë kohë, ishin detyruar të shkojnë në shkollë për shkak të situatës së tensionuar.
“Arsimtarja e gjuhës serbeka pasur respekt, por kur e sheh me shqiponjë nuk e duron, dhe i thotë me dalë jashtë, dhe ky ia kthen dil ti sepse unë nuk dalë. Rroket aty dhe vijnë edhe policia, sepse ka qenë konflikt verbal. Njëri nxënës tregon që ajo ka shkuar me kap xhemperin dhe Afrimi e ka goditur nuk e ka lanë me prek, dhe pastaj kanë shkuar me Policinë. Pra, në shkollën fillore”, thotë më tutje Naim Zhitia për këtë rast, që sot kujtohet si fillimi i revoltës së Zhitisë ndaj sistemit dhe nisjes së rrugës me synim për çlirimin e Kosovës.
Fuqishëm aktivitetin e tij Afrim Zhitia e filloi në shkollën e mesme, kur kishte marrë pjesë në demostratat e vitit 1981 kur më pas edhe ishte arrestuar.
“Në shkollën e mesme në vitin e parë është organizuar vet me disa shokë të klasës dhe të tjerë ku e kanë bërë një grup të asaj periudhe në vitin 1981. Ky grup i bashkohet më vonë me grupin e Sejdi Veselit që ka qenë fronti nacional-çlirimtar që ka vepruar në atë kohë, dhe gjatë kësaj kohe Afrimi ka qenë i mitur. Ka mujt me i pas 15 vjet deri në 17 vjet”, tregon për Nacionalen vëllai i Afrim Zhitisë.
“Pas asaj periudhe e burgousin në vitin 1984. Për me dërgu në burg këta, është dashur këta me ia bërë një montim që me ia rrit vitet, ia kanë bërë kinse ka lindur më 1961, Afrimi ka qenë 1965 këta e kanë bërë 61. Afrimi gjatë periudhës së veprimtarisë ka qenë i mitur, kur është dënuar ka pasur mbi 18 vjet, dhe në bazë të asaj ligjet nuk kanë mujt me dënu me të rriturit, dhe ia kanë shtu vitet. Këtë akt kriminal e kanë bërë gjyqtarët shqiptarë”, thekson më tutje Naim Zhitia.
Kohën e burgut Afrimi e kishte shfrytëzuar për të lexuar, përderisa vëllai i tij tregon se kur u lirua ishte komplet një personalitet tjetër.
“Gjatë kësaj kohe kur lëshohet nga burgu, ne që e kemi njohur, del një personalitet 100% tjetër nga burgu. Gjatë burgut ka qëndruar në izolim dhe e ka shfrytëzuar tërë kohën duke lexuar, saqë shpesh bile qeshja thoshte s’kisha kohë, por qysh s’kishe kohë i thosha, por qëndroja duke lexu më thoshte. Pasi ka dalur nga burgu ka filluar veprimtarinë me shokët e vet”, rrëfen Naim Zhitia.
“Në Pozharevc ka pasur shokë që janë organizuar në burg. Aty është njohur me Fadil Vatën, Sejdi Veselin, Bardhyl Mahmutin e figura të tjera. Unë mendoj që dalja e tyre nga burgu i ka dhënë hov të madh lëvizjes ilegale në Kosovë. Ka qenë hov i madh ku për herë të parë lëvizja ilegale e ka mbërri kulminacionin dhe ka arritur që vendimet të merren brenda në Kosovë”, tregon më tutje ai.
Afrimi në Divjakë është zgjedhur sekretar organizativ i Lëvizjes, dhe për herë të parë lëvizja ilegale është organizuar dhe ka marrë vendim të fillojë për krijimin e njësiteve të armatosura, në vitin 1989 në mars. Ky projekt që aty është marrë vendim ka vazhduar me sukses dhe më vonë është shfaqur edhe në skenë UÇK-ja ku jo vetëm në Kosovë, por projekti i tyre ka vazhduar edhe në Preshevë e Medvegjë, edhe në Maqedoni”, thotë Naim Zhitia për Nacionalen.
Vëllai i Afrim Zhitisë tregon se si aso kohe ai e dinte se Kosova do të hynte në luftë, për çka i kishte kërkuar të përgatitet edhe Naimit.
“Ish pyetje me shku ushtar unë, edhe ai më tha me shku ushtar sepse thoshte se duhet me u parpaërgatit sepse ne nuk do të shpëtojmë pa luftë. Ishte sygjerim i tij që unë të shkojë, dhe në vitin 1989 unë kam shkuar ushtar 2 muaj pa u vra Afrimi”, deklaron Naim Zhitia.
Vrasja e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut
Angazhimi i Afrim Zhitisë për çlirim nuk kishte lënë pa u vërejtur nga strukturat e asaj kohe, të cilat kishin nisur planet për ndërperjen e kësaj rruge. Afrim Zhitia u vra bashkë me Fahri Fazliun më 2 nëntor të vitit 1989. Detajet për momentet e përplasjes me armë mes Afrimit e Fahriut me dhjetëra policë e civilë të tjerë serbë të armatosur.
“Këta kur kanë shkuar aty, janë shkuar me tërheq diçka në banesën e Fahriut dhe pasi janë hy brenda, motra e Fahriut i ka pa që janë të rrethuar dhe i ka njoftuar. Afrimi menjëherë është ngritur dhe ka thënë me ia hap dritaren, Fahriu si duket aty ka dasht me i thanë që mos u ngut, por fjalët e Afirmit kanë qenë që unë jam i besum që në dorë të tyre mos me ra e edhe Fahriu nuk iu ka nda, e ka hap dritaren. Afrimi ka gjuajtur rrafall për me kërcy, dhe ka kërcy”, thekson Naim Zhitia.
“Afrimi nuk është vra në bodrum, sepse në katin e tretë Afrimi ka hypur me njolla të gjakut, dhe një grua ia ka hapur derën. Afrimi ia kthen që po më duhet qarqaf me lidh plagën, sipas fjalëve të gruas, ajo e fton brenda që mos po shpëton edhe e lidh varrën, Afrimi nuk pranon e lidh këmbën dhe kthehet e vazhdon luftën. Afrimi është vra në shkallë. Flitet që kanë luftuar rreth 10 orë, janë vra dytë me Fahri Fazliun”, tha më tutje vëllai i Afrim Zhitisë për Nacionalen.
Por, si e kuptoi Naim Zhitia për vdekjen e vëllait?
“Unë isha ushtar në atë kohë. Ata mua më murrën në pyetje dhe nuk e mora fort ashtu si djal i ri nuk më bëjke përshtypje. Reagimi ka qenë sese unë dyshojsha që Afrimi nuk u vra, thojsha që këta po bëjnë presion, dhe po dojnë me nxjerr dicka. Nuk më hike në kry. Kur ma qitën gazetën e pashë po besoj. Atëherë çka me thanë. Ishte vështirë me pranu një akt të tillë sepse duke e njohur Afrimin qysh ka qenë jo vetëm si vëlla, por si familjarë që ishte, por ai ishte një humbje e madhe për Kosovën”, thotë Naim Zhitia.
Afrim Zhitia disa ditë para vrasjes, kishte dyshuar se UDB-ja kishte persona të infiltruar brenda lëvizjes ilegale të asaj kohe.
“Afrimi ka qenë i pandalshëm në këtë drejtim. Gjithëherë na thoshte që unë në dorë të policisë më nuk bi, e ka pasur këtë. Ishte njëfarë parapërgatitje. Dy muaj ditë pa u vra i thotë motrës thotë se dikush është, cili është nuk e di, me ditë që meniëherë në lulë të ballit ia dha. Si duket e ka diktu që ka depërtuar UDB brenda organizimit të tyre 2 muaj pa u vra”, tregon vëllai i Afrimit.
Sipas Naim Zhitisë, si rezultat i kontributit të vëllait të tij me shokë dhe lëvizjes ilegale të asaj kohe, erdhi deri te krijimi i UÇK-së e çlirimi i Kosovës.
“Ne pa hezitim kemi vazhduar përpjekjet tona kontributin tonë për temën kombëtare nuk e kemi ndaluar, por e kemi bërë me Lëvizjen Popullore të Kosovës, asnjëherë nuk jemi ndarë. Sepse kjo lëvizje arriti me vështirësi të madhe, me vrasje e burgosje por arriti që UÇK-në ta formojë kjo lëvizje. Kjo themeluesja e parë ishte e UÇK-së e duke vazhduar me UÇPMB. Ishte projekti që Afrim Zhitia me shokët e vetë e kishin gatuar, dhe nuk kemi hezituar që kontributin ta japim me këtë lëvizje”, deklaron Naim Zhitia.
“Sikur t’i mbijtonte atij sulmi siç ka thënë disa nga udhëehqësit e Kosovës si Hashim Thaçi, po të mbijetonte aty, në Kosovë ngjarjet do të kishin ndodhur më herët”, përfundon rrëfimin për Nacionalen vëllai i Afrim Zhitisë.
Më 2 nëntor bëhen 34 vjet nga vrasja e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut.