Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka nënshkruar marrëveshjen për zhvillimin e projektit të ankandit të parë solar të vendit me kompaninë tashmë të themeluar në Kosovë “Lindja Solar” nga konsorciumi fitues i ankandit i përbërë nga “Orllati Groupe” nga Zvicra, “Holdigaz” nga Zvicra, “ZPV” nga Gjermania dhe “Jaha Solar” nga Kosova.
Sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Ekonomisë u bë e ditur se sot janë nënshkruar edhe marrëveshjet për dhënien me qira të tokës me Ministrinë e Ekonomisë dhe marrëveshja për blerjen e energjisë elektrike me Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.A..
Për këtë, Rizvanolli tha se nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve është një tregues i përkushtimit të Qeverisë së Kosovës për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të përmbushur objektivat e energjisë së gjelbër.
Tutje ajo shtoi se, ky ankand i suksesshëm do të jetë i pari prej shumë sosh që do të zhvillojmë në të ardhmen dhe Kosova po e dëshmon se gjithnjë e më shumë po bëhet një mjedis i favorshëm dhe i sigurt për investime në sektorin e energjisë pra për një sektor më të qëndrueshëm, të pavarur dhe më të përballueshëm për qytetarët.