Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë nënshkruar sot aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në ceremoninë e nënshkrimit, ata kanë thënë se ky është një hap historik për Republikën e Kosovës, por nuk kanë folur shumë sfidat që do t`i këtë Kosova në këtë rrugëtim të gjatë.
“Sot është një ditë historike. Është moment historik. 14 dhjetori ka rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës. Përveç aplikimit për anëtarësim, sot është edhe përvjetori i themelimit të Ushtrisë. Këto dy akte shkojnë në drejtim të vizionit tonë euroatlantik”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, ky veprim ka një rëndësi të madhe për të ardhmen e Kosovës.
“Në emër të Kosovës, po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës. Për të sjell vendin tonë një hap më afër BE-së. Për Kosovën, nuk ka pas alternativë tjetër. Në vigjilje të 15-vjetorit të Pavarësisë, ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve, ata që luftuan për liri”, ka thënë Osmani.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë me dije si ky proces për Kosovën është i veçantë.
“Për Kosovën e gjitha rajonin anëtarësimi në BE është shumë i veçantë. Ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Kosovës drejt Bashkimin Evropian, një rrugë e cila ishte më të vërtetë e gjatë dhe aspak e lehtë. Ky rrugëtim kalon përmes Komisionit Evropian nga i cili presim që t’ia rekomandojë Bashkimit Evropian, t’ia jap Kosovës statusin e merituar. Por, kuvendimi u takon megjithatë qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të cilat gjithashtu i ftojmë të veprojnë unanimisht dhe për ta dhënë miratimin e tyre”, është shprehur Konjufca.
Kurse, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se aplikimi do t’i dorëzohet Presidencës Çeke të BE-së në Pragë.
“Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe avancuese. Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Ne do të ecim përpara me meriton tonë, me aftësitë tona për t’i përmbushur kriteret. Pengesat dhe sfidat i kalojmë me zhvillim demokratik dhe progres shoqëror”, ka thënë Kurti.
Cilët janë faktorët që do të ndikojnë në suksesin e procesit?
Njohësi i integrimeve evropiane kanë bërë me dije se rruga e Kosovës drejt BE-së do të jetë shumë sfiduese.
Ish-zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu, ka treguar për veprimet që duhet t` i ndërmarrin institucionet e Kosovës për të qenë ky aplikim i suksesshëm.
Ai ka vlerësuar se ky nuk është vetëm një veprim i procedural.
“Asocimi përfshin pjesën e negocimit dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Ndërsa, anëtarësimi përfshin marrjen e statusit të vendit kandidat, negociatat e anëtarësimit deri te anëtarësimi formal në BE. Procesi i asocimit mes Kosovës dhe BE-së është përmbyllur me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Procesi i anëtarësimi në BE do të filloj me aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe marrjen e statusit të kandidatit. Kjo do të shënoj fillimin e një rrugëtimi të gjatë për tu bërë vend Anëtarë i BE-së”, ka shkruar Kryeziu në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, janë tre faktorë kyç të cilët do të ndikojnë në suksesin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.
“1. Vullneti i fortë politik për të bërë reforma të dhimbshme politike; 2. Ndërtimi i administratës profesionale të aftë për të mbështetur nivelin politik dhe për të përballur presionin administrativ të procesit të anëtarësimit; 3. Diplomaci efektive për të mbështetur procesin integrues të Kosovës”, ka shkruar ai.
Kryeziu ka vlerësuar se në përputhje me Traktatin për Bashkimin Evropian, përkatësisht nenin 49, çdo vend evropian mund të dorëzojë kërkesë për anëtarësim në BE nëse respekton vlerat demokratike të Bashkimit Evropian.
Me tej, Kryeziu ka folur për rreziqet që e presin Kosovën në këtë proces.
“Procedura si e tillë, është që fillimisht kërkesa i dorëzohet Presidencës së radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe janë dy skenare. Skenari pozitiv: pas dorëzimit të kërkesës, në Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, do të shqyrtoj kërkesën dhe do të dërgoj atë tek Komisioni Evropian për ta dhënë opnionin e tij (avis) mbi meritat e aplikimit të vendit aspirues, dhe në fund kërkohet unanimitet nga Këshilli Evropian. Në skenarin negativ, Këshilli nuk e shqyrton fare kërkesën”, ka vlerësuar ai.
Sipas tij, Qeveria duhet të kujdeset që aplikacioni të shqyrtohet nga Këshilli i BE-së.
“Ajo që duhet të potencohet për këtë stad të aplikimit për statusin e vendit kandidat është që procedura kërkon unanimitet. Pra, kërkon pajtueshmëri të të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. E ne mos të harrojmë që janë pesë vende të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, dhe kjo pak e komplikon situatën. Por, me shpresë që mund të ketë një zgjidhje kreative në këtë drejtim, Kosova do të duhej paraprakisht të negocionte, pra ta maste pulsin me vendet mike të saj: Francën, Gjermaninë, dhe të shihet se cili është disponimi i këtyre dy vendeve si motori i çdo zhvillimi brenda BE-së, dhe vetëm pastaj të dorëzohet dosja për aplikim”, ka shkruar ai.
Kryeziu nuk e ka përjashtuar mundësinë që ky proces të ndërlidhet me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Dhe vetë kërkesa e tillë siç e parasheh Traktati i BE-së, tregon se duhet të ketë një pajtueshmëri të plotë brenda BE-së, dhe kjo mund të jetë e lidhur edhe me procesin e dialogut sepse duhet të gjendet një modalitet, një kreacion të ri që këto pesë vendet mosnjohëse të pajtohen që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat”, ka shkruar Kryeziu. /Nacionale