Nëna shkon për ta marrë djalin në spital, ai e sulmon me grushte duke u kthyer për shtëpi. Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve.
Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në Gjakovë, ku një grua është përballur me dhunë nga djali i saj pasi e raportoi në Polici.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se fillimisht i dyshuari ishte denoncuar për dhunë në familje dhe ishte shoqëruar në Polici, por për shkak se ishte i dehur u dërgua në spital.
Pasi nëna e tij shkoi për ta marrë të birin, i njëjti dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht teksa po ktheheshin në shtëpi, duke e goditur me grushte.
Përballë kësaj situate, ajo kërkoi ndihmën e Policisë, me ç’rast i dyshuari u arrestua.