Në një mostër u gjet bakteri koliform, AUV dhe IKShPK deklarohen pas ngritjes së dyshimeve për sigurinë e ujit “Rugove”

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë ngritur dyshime për sigurinë e ujit “Rugove”, pasi në një mostër të këtij uji është zbuluar prania e bakterit koliform. Ky shtet tashmë ka nisur inspektim për të gjitha dërgesat e këtij uji nga Kosova.

Pas dyshimeve të ngritura në shtetin fqinj, edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë është vënë në lëvizje. Sipas tyre menjëherë ka nisur gjurmimi i dërgesave. Por, për dallim nga autoritetet maqedonase, AUV i Kosovës bazuar në rezultatet e IKSHPK’së thonë se në në mostrat e kontrolluara të këtij uji s’ka baktere dhe se është i sigurt për pije.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka thënë se nuk ka vend për shqetësim lidhur me ujin e pijes “Rugove”, pasi në një mostër të të cilit autoritetet e Maqedonisë së Veriut thanë se kanë zbuluar prani të një bakteri. Bëhet fjalë për bakterin koliform, që është organizëm i pranishëm në mjedis dhe në jashtëqitjet e të gjitha kafshëve me gjak të ngrohtë dhe njerëzve.

Bakteri koliform nuk mund të shkaktojë sëmundje, mirëpo prania e tij në ujë të pijshëm tregon se organizmat që shkaktojnë sëmundje (patogjenët), mund të jenë në sistemin e ujit.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, në një përgjigje për Reporterin, ka thënë se ky ujë i plotëson kriteret ligjore dhe se është i sigurt për konsum.

“Nga të gjeturat pas gjurmimit të plotë,  fakteve të mbledhura dhe paraqitura me lartë, nuk ka vend për shqetësim. Uji i ambalazhuar ‘’Rugove’’ i plotëson kriteret ligjore dhe është i sigurtë për konsum”, ka deklaruar Thaçi.

Pas dyshimeve të ngritura në shtetin fqinj, Thaçi thotë se kanë filluar menjëherë me gjurmimin e të gjitha të dhënave për Korporatën “Rugove”. Sipas tij, në muajin e fundit janë eksportuar 27 ngarkesa që janë certifikuar në bazë të rezultatit të analizave laboratorike, të cilat janë kryer në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovës.

Ai thotë se AUV i posedon këto rezultate, sipas të cilave ky ujë është pa prezencë të baktereve.

“Ne këto rezultate te analizave është i përfshirë edhe parametri lidhur me “prezencën e bakterit koliform”, ku në secilin rezultat është konfirmuar se nuk është gjetur ky bakter në produktin uji i ambalazhuar i kompanisë  “Rugove”.  Raportet e Analizave i posedon AUV, rezultatet janë negative ( pa prezencë të baktereve).”, thuhet në përgjigjen e Thaçit.