Për dallim nga dita e Hënë, ku regjistruam ditën më të nxehtë në Kosovë për këtë vit, duke arritur temperatura deri në 30°C, gjatë ditës së sotme kishim vranësira të shpeshta edhe reshje lokale shiu, përderisa edhe temperaturat pësuan ulje për disa gradë.
Reshjet po ashtu u përcollën edhe me baltë, kjo si pasojë e pluhurit Saharian, e cila vie si rezultat e një presioni të ulët nga Afrika Veriore.
Nga dita e mërkurë, do të kemi depërtimin e ftontit të ftohtë nga veriperëndimi i kontinentit, i cili do të sjellë edhe ndryshimin drastik të motit, e bashkë me të do të largojë edhe pluhurin Saharian. Fronti do të karakterizohet me ulje drastike të temperaturave, ku priten reshje shiu në të gjithë vendin, lokalisht do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me shkarkesa lokale rrufesh si dhe reshje shqote (shi i përzier me borë) ose edhe borë.
Reshjet e borës do të jenë të përqëndrura në zonat malore por nuk përjashtohet mundësia që të paraqiten edhe në zona të ulëta, sidomos në zonën verilindore, konkretisht në rajonin e Podujevës apo edhe në zona të tjera afër vendit në fjalë.
Të enjten, gjatë orëve të para të 24-orëshit, do të ketë reshje lokale shiu e bore, ndërsa dita do të vijojë me vranësira të shpeshta e intervale kohore me diell, të cilat do të përcillen me reshje lokale shiu, lokalisht do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh. Reshjet e borës do të vazhdojnë në zonat malore. Dita do të shënojë një ngritje të lehtë, rreth 10°C.
Nga dita e premte e në fundjavë parashihen vranësira të shpeshta dhe reshje lokale shiu, ndërsa në zonat malore reshje bore. Reshjet e borës në zona më të ulëta ka mundësi të paraqiten në fundjavë gjatë orëve të mëngjesit apo natës. Temperaturat do të mbesin pothuajse konstante, me përjashtim të dielën, të cilat do të mbesin më të ulëta, varësisht nga shtrirja e masave të ftohta dhe atyre të lagështa, për të cilat deri atëherë do të informoheni me kohë.
Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-60 km/h!
Temperaturat do të pësojnë ulje drastike, me minimale që do të lëvizin prej 1 deri në 5°C, ndërsa ato maksimale prej 7 deri në 16°C.
Vlerat më të larta do të regjistrohen të mërkurën vetëm në disa vende, kryesisht në Rrafshin e Dukagjinit, deri në atë moment kur të arrijë fronti gjatë ditës. Zonat që janë drejt veriut, do të përfshihen më herët nga fronti.