Rusia është vënë në përpjekje për një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohej rreth fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, që i dhanë fund luftës në Kosovë.
Pas dështimit të së hënës për një seancë të tillë, mbajtja e së cilës u pamundësua meqë 12 vende anëtare nuk votuan për kërkesën e Moskës, Rusia sërish shtroi kërkesë për debat me temën “ruajtja e paqes dhe qëndrueshmërisë ndërkombëtare”.
“Nëse mendonit se diplomacia ruse në OKB thjesht do të dorëzohej, atëherë keni gabuar. Ky nuk është stili ynë. Ne kërkuam edhe një herë një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për agresionin e NATO-s kundër Jugosllavisë. Pas kundërvënies së fortë të kundërshtarëve tanë, ia dolëm që kryesuesi nga Japonia ta caktojë seancën për të enjten në Nju Jork”, shkroi në rrjetin X zëvendës ambasadori rus në OKB, Dmitry Polyansky.
Por, mundësitë që seanca të mbahet duken të pakta. Hapja e debatit kërkon votë procedurale dhe për t’u miratuar rendi i duhet mbështetja e 9 nga 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, u tha mediave serbe në Beograd se “Franca ka paralajmëruar se do të kërkojë votë procedurale”, prandaj “seanca sipas të gjitha gjasave nuk do të mbahet”.
Ai theksoi se Rusia nuk e ka miratuar planin e punës së Këshillit të Sigurimit për muajin prill, kështu që Serbia tani po hyn në mes të përplasjeve të fuqive të mëdha, “gjë që nuk ishte qëllimi ynë”.
Të hënën, përfaqësuesi amerikan në OKB, Robert Wood, akuzoi Rusinë se po përpiqet të shfrytëzojë përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, për të shpërndarë propagandën e saj dhe për të nxitur tensionet rajonale në Ballkanin Perëndimor.
Ai ritheksoi qëndrimin amerikan se ndërhyrja ishte një veprim “i domosdoshëm dhe i ligjshëm për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë”. /VoA