Ndalimi i dinarit serb, BE: Jemi të shqetësuar për pasojat e vendimit

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se BE-ja është shumë e shqetësuar për heqjen e dinarit në Kosovë dhe ndikimin që do të ketë dhe ka në komunitetet me shumicë serbe.

“Kjo na shqetëson gjithnjë e më shumë, ndikimi që do të ketë vendimi në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dhe veçanërisht në shkollat ​​apo spitalet për të cilat nuk ka një proces alternativ të qëndrueshëm”, tha Stano në një konferencë të rregullt në Bruksel.

Ai vlerësoi se vendimi për shfuqizimin e dinarit do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të popullatës serbe, të cilët marrin pagesa apo ndihmë financiare në monedhën serbe.

“Duke marrë parasysh pasojat e mundshme të këtij vendimi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presim që të merren parasysh të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me dialogun e udhëhequr nga BE-ja”.

“Kërkojmë që të përcaktohet një periudhë mjaft e gjatë tranzitore, për të bërë të mundur gjetjen e një zgjidhjeje për këtë problem specifik përmes negociatave”, tha Stano.

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ditë më parë ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi që nga 1 shkurti.

Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë, është Euro.

“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në rregullore.

Ndërkaq, sa i përket valutave tjera, BQK ka vendosur që të përdoren “vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.

Duke e përmendur Euron si valutë të vetme, Kosova me gjasë përjashton edhe dinarin si valutë për kryerjen e pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave që përdoret në mjediset serbe pandërprerë edhe pse nga viti 2002 Kosova ka adoptuar euron si valutë të saj