Ka ndërruar jetë shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare.
Sipas mediave në Shqipëri, Kadare ka vdekur në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Ismail Kadare ishte shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore, dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar me dhjetëra herë për çmimin Nobel.
Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).
Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.