Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të fillojnë mësimin, derisa ka vazhduar të fajësojë SBASHK’u për gjendjen në arsim, raporton Express.
Ajo e ka cilësuar si shantazh grevën e mësimdhënësve, derisa ka zbuluar edhe kërkesën e përfaqësuesve të sindikatës për të ndërprerë grevën.
Sipas saj, SBASHK;u u ka thënë se nuk fillon mësimi “para se të plotësoni kërkesën tonë për 100 euro ose për shumën që merremi vesh”.
“Çdo ditë jashtë klasave, ju bën me vetëdije ose jo, pjesë të agjendave të grupeve të interesit që asnjë interes të përbashkët me ju a me arsimin si fushë nuk e kanë. Përkundrazi, kanë kontribuar në gjendjen që e kemi të gjithë. Mësimi është mbi të gjitha. Greva ka kuptim kur nuk dëmton nxënësit dhe procesin mësimor. Në situatën aktuale më shumë është shantazh, e përballë shantazhit nuk ka rrugë tjetër veçse të qëndrojmë për vlerat antishantazh”, ka shkruar Nagavci.