Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, njoftoi se janë finalizuar të gjitha përgatitjet për fillimin e arsimit dual në 12 profile, përfshirë përmbajtjen e kurrikulave duale.
Me anë të një postimi në Facebook ajo shtoi se grupet punuese për adaptimin e kurrikulave, tashmë kanë finalizuar përmbajtjen e kurrikulave duale sipas formatit të ri dhe se pjesë e këtyre grupeve kanë qenë mësimdhënës të profileve të ndryshme bashkë me profesionistë të fushës.
“Krahas punës për finalizimin e kurrikulës, është mbajtur edhe takimi i Task Forcës për inicimin dhe implementimin e arsimit dual, ku është diskutuar për përgatitjet për vitin shkollor, definimin e formatit të kontratave në mes të bizneseve dhe nxënësve si dhe kornizën ligjore për arsimin dual”.
“Anëtarët e Task Forcës (përfshirë përfaqësues të ministrive, shkollave, bizneseve, odave dhe shoqatave) janë të përkushtuar në përmbushjen e detyrave për të kontribuar në avancimin e mëtejmë të arsimit dual në Kosovë”, shkroi Nagavci.