N1: Perëndimi e ka humbur durimin, ka mobilizim për ta rrëzuar Dodikun

Për herë të parë, vendet udhëheqëse të Perëndimit kanë filluar të zhvillojnë seriozisht skenarë se si mund të dukej Republika Srpska pa Milorad Dodikun, që është një shenjë e qartë e mbështetjes për Përfaqësuesin e Lartë Christian Schmidt për ta hequr përfaqësuesin e serbëve nga posti i kreut të Republika Srpskas dhe për ta ndaluar atë nga veprimtaria politike, mëson N1 nga burime të mirëinformuara në qarqet ndërkombëtare.

Siç shkruan mediumi që shërben si filial i CNN-it në Beograd, Schmidt ka mbështetjen e plotë të Perëndimit për ta rritur presionin ndaj Dodikut në mënyrë që të jetë e qartë se ai do të largohet nga jeta politike dhe e vetmja mënyrë për të parandaluar që kjo të ndodhë është që ai t’i ndalojë urgjentisht aktivitetet antishtetërore.

Pas vitesh që i dhanë atij hapësirë ​​dhe kohë për t’i ndaluar aktet secesioniste dhe minimin e rendit kushtetues dhe ligjor të Bosnjë e Hercegovinë. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia po e humbasin durimin. Tani, për herë të parë, ato janë të bashkuara në mendimin se Dodik ka kaluar vijën e kuqe dhe se veprimet e tij antikushtetuese nuk mund të mbeten pa u ndëshkuar, sepse me veprimet e tij të paarsyeshme dhe të rrezikshme kërcënon paqen dhe strukturën e Dejtonit.

Ndërsa Washingtoni, Londra, Berlini, Parisi dhe Roma zyrtare, përfaqësuesit e të cilëve punojnë së bashku brenda Quintit, janë pjekur në besimin se sanksionet amerikane dhe britanike të miratuara më parë kundër Dodikut nuk i ndaluan përpjekjet e tij për ta përmbysur shtetin dhe se është një fazë e re për veprime më të drejtpërdrejta me qëllim të ruajtjes së integritetit territorial dhe Kushtetutës së BeH, Brukseli zyrtar është ende në mëdyshje dhe nuk ka një qëndrim të qartë.

Megjithëse Turqia mbështet vendimet e fundit të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare, nuk është e qartë se cili është qëndrimi i Turqisë ndaj rrëzimit të Dodikut.

Dy ditë më parë, Christian Schmidt anuloi Ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH në RS, i cili u miratua së fundmi.

Schmidt njoftoi gjithashtu ndryshime në Kodin Penal të Bosnjë-Hercegovinës në atë mënyrë që veprimet që cenojnë rendin kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës do të trajtohen si vepër penale.