Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka sulmuar raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Mustafa përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se Von Cramon ka pasur kontribut për ardhjen e VV-së në pushtet.
Ai ka thënë se raportuesja për Kosovën në PE, ka pasur anim të hapur dhe “mbajti lartë flamurin e Vetëvendosjes, duke atakuar para zgjedhjeve partitë që sot janë në opozitë”
“Sot nuk e di a është raportuese e VV-së apo e shtetit që VV synon çdo ditë ta shndërrojë në diktaturë?!” – ka shkruar ndër të tjera Mustafa.
Shkrimi i tij:
Po harrojnë ta falënderojnë raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, për kontributin e jashtëzakonshëm të saj për ardhjen e VV-së në pushtet. Jashtë çdo norme normale, me subjektivizëm të pashoq, me përzierje flagrante në relacionet e brendshme partiake e demokratike e me anim të hapur, Cramon e mbajti lartë flamurin e Vetëvendosjes, duke atakuar para zgjedhjeve partitë që sot janë në opozitë. Sot nuk e di a është raportuese e VV-së apo e shtetit që VV synon çdo ditë ta shndërrojë në diktaturë?!