Ish-kryeministri Isa Mustafa ka komentuar deklaratën e kryeministrit aktual, Albin Kurti, i cili tha se Qeveria e tij ka siguruar 400 mijë vende të reja pune për qytetarët.
Sipas Mustafës, kjo deklaratë nuk zë vend, pasi thotë se investimet publike kanë rënë dhe si pasojë nuk ka as para në qarkullim, transmeton gazeta online Reporteri.net.
“Investimet publike kanë ra. Vitin e kaluar kanë qenë në nivelin më të ulët që nga çlirimi e këndej. Dhe nëse s’ka investimet publike, atëherë s’ka para në qarkullim. Atëherë kërkesa agregate bjen. Unë s’mund ta fajësoj qeverinë për inflacion, sepse s’ka qenë vec në Kosovë, por qeveria është krejtësisht fajtore që s’ka marrë asnjë masë që ta zbusë pasojën e inflacionit te qytetarët”, ka thënë ai për Kanal 10.
Ai e kritikoi Kurtin për ikje të qytetarëve, duke thënë se nuk po mundet t’i rikthejë ata që kanë ikur nga vendi.
“S’janë rrit pagat e as mëditjet. S’ka rritje të punësimit, ka ikje të qytetarëve. Por, për punësimet që po flitet, mund të flasim për njerëzit tanë në Gjermani sepse kanë ikë e janë punësuar në Gjermani, por s’janë punësuar në Kosovë. Ne kemi pasur ikje të mëdha, edhe unë kam pasur ikje në vitin 2015, ikja e 60-70 mijë qytetarëve, por kemi arritur që t’i kthejmë 70% të tyre në Kosovë. Tani s’po kthehet më askush”, tha tutje Mustafa.