Ish-kryeministri Isa Mustafa ka kujtuar se si në vitin 2017 i kishte liruar nga detyra një zëvendëskryeministër dhe tetë ministra të cilët kishin fituar mandatin e deputetit.
Duke e sjellë këtë shembull, ai mori shkas nga një vendim i fundit i Gjykatës Supreme që e konsideron nxjerrjen e akteve nënligjore nga ministrat që janë njëkohësisht deputetë, si të kundërligjshme dhe shkelje të dispozitave kushtetuese.
“Të nderuar miq, Në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore të vitit 2017, në konsultim me Zyrën Ligjore të KM dhe me këshilltarin juridik të Kryeministrit, që sot është kryetar i Odës së Avokatëve , në harmoni me nenin 72 të Kushtetutës, si kryeministër në detyrë lirova nga detyra një zëvendës kryeministër dhe 8 ministra të cilët kishin fituar mandatin e deputetit. Qeveritarët e liruar nga detyra ishin: Ramiz Kelmendi, zëvendëskryeministër, ministrat; dr. Kujtim Shala, dr, Avdullah Hoti, dr. Enver Hoxhaj, dr, Lutfi Zharku, Memli Krasniqi, dr, Hykmete Bajrami, Arban Abrashi dhe Rasim Demiri”, shkroi Mustafa në një postim në Facebook.
Atë veprim, ish-kryeministri tha se nuk e kishin marrë për të qenë “shembull i zbatimit të Kushtetutës”, por që “të preventojmë të mos bëhemi shembull i shkeljes së saj”.