Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Arben Mustafa ka thënë se në fund të vitit 2022, krahasuar me 2021, numri i të papunëve sipas ASK-së u zvogëlua për 38,298 persona, por sipas tij numri i të punësuarve u shtua vetëm për 8,789 persona.
Mustafa përmes një postimi në Facebook, ka pyetur se ku kanë mbetur 29,509 persona qe nuk po figurojnë më si të papunësuar, por as si të punësuar, duke shtuar e përgjigja e mundshme është se ata kanë migruar.
Ai tutje i ka reaguar edhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke thënë se po i paraqet disa statistika administrative të punësimit, të zbuluara nga vetë kjo Qeveri.
Postimi i plotë:
Në fund të vitit 2022, krahasuar me 2021, numri i të papunëve sipas ASK-së u zvogëlua për 38,298 persona, mirëpo numri i të punësuarve u shtua vetëm për 8,789 persona.
Pra, shtrohet pyetja ku mbetën ata 29,509 persona qe nuk po figurojnë më si të papunësuar, por as si të punësuar?!
Pergjigja më e mundshme është se ju kanë bashkëngjitur karvanit të migrimit sepse kanë humbur shpresat për një jetë më të mirë në Kosovë.
Në anën tjetër, Ministri i Financave po i paraqet disa statistika administrative të punësimit, të zbuluara nga vetë kjo Qeveri, sipas të cilave në Kosovë qenka duke lulëzu punësimi i të rinjve!
Duke ndenjur i mbyllur në zyrë ndoshta edhe i beson këtij tregimi, por nuk besoj që do ti besonte nëse do të dilte nga pak prej zyrës dhe ta shihte dinamikën e ekonomisë së vendit.
Mos të harrojmë, rritja ekonomike në periudhën e fundit është vetëm 2%.