Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka bërë me dije se gjasa janë reale që javën e ardhshëm të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës.
Ajo ka deklaruar se PDK-ja do të dëshironte që shpërndarja e Kuvendit të bëhet me pajtimin e të gjitha partive opozitare.
Deputetja e PDK-së ka treguar se kjo do të ishte e mirë për vendin.
“Ne kemi vlerësuar që duhet të diskutojmë për datën e zgjedhjeve dhe kemi arrit që të kemi një dakordim që nëse i kemi numrat në Kuvend të Kosovës, nëse kemi pajtueshmëri si parti opozitare vendi mund të shkojë edhe në zgjedhje dhe të bëhet shpërndarja e Kuvendit me votat e deputetëve. Na duhet 80 vota dhe një gjë e tillë do të ishte në të mirë të vendit tani për tani”, ka thënë ajo në një intervistë për Tëvë1.
Sipas saj, data për zgjedhje të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës janë 30 qershori, 7 korriku dhe më së largu 4 korrik.
“Çdo datë që shtyhet më vonë se këto të propozuara, ne si PDK nuk e vlerësojmë që ia vlen të kemi zgjedhje në vendin tonë, pasi e kemi parasysh që korriku dhe gushti janë pushim e pastaj mbesin edhe tre muaj që ligjërisht do të duhej të thirr presidentja zgjedhje të rregullta. Gjasat reale janë që të ndodh. Mirëpo, duhet të ketë koordinim me shefat e grupeve parlamentare”, është shprehur Musliu-Shoshi.