Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk është kredibil për të qenë në rolin e tij si kryenegociator i dialogut Kosovë – Serbi.
“Bislimi nuk është kredibil për të qenë kryenegociator. Problemin e kemi që ky person në vazhdimësi bën deklarata që e zënë në surprizë edhe vet për zotin Kurti, nëse temë dinari është çështje e brendshme pse Kurti shkojë bashkë më zonjën Gërvalla në Këshill të Sigurimit. Pse u dashtë që çështjet e brendshme të Kosovës të diskutohen atje”, ka thënë ajo.
Musliu-Shoshi ka theksuar se Bislimi ka ofenduar aleatët e Kosovës, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Bashkuar.
“Nëse kemi një person për të cilin Amerika është e keqe, Gjermania është e keqe, Bashkimi Evropian është i keq e njashtu edhe Britania e Bashkuar, të gjithë i fajëson në vazhdimësi të gjithë ambasadorët. Bensik Bislimi i shan të gjithë, ishte në raportim në Komisionin për Punë të Jashtme u tha me dyert të mbyllura se do të flas çështje konfidenciale as edhe një informatë të vetme nuk e ka nda me deputetët”, ka deklaruar Musliu – Shoshi në Debat Plus.
“Nëse deklaron si kryenegocioator se çdo shtet çdo aleat i joni është i keq me ne, atëherë me kon po ecim si shtet”, ka shtuar ajo.
Po ashtu, Musliu-Shoshi ka thënë se është në një pikë ku edhe Shtetet e Bashkuara janë shqetësuar për gjendjen në vend.
“Me kë jemi duke udhëhequr në politik të jashtme. Jemi në një pikë që Amerika për herë të parë na qorton si shtet, dhe kjo do të thotë shumë. Ata tashme janë të shqetësuar se çfarë po ndodh me shtetin tonë”, ka deklaruar Musliu- Shoshi.