Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar pas publikimit të pjesës së dytë të përgjimeve ku Kusari-Lila dëgjohet duke folur me Sllavko Simiqin e Listës Serbe, teksa ky i fundit dëgjohet edhe duke folur për bisedat e Kusarit me Millan Radojiçiqin.
Ajo ka thënë se për dallim nga Qeveria Kurti, Partia Demokratike e Kosovës nuk bashkëpunoi e nuk u koordinua kurrë me kriminelët, kështu sipas saj, duke mos e tradhtuar kurrë interesin e Republikës së Kosovës.
Musliu Qeverinë Kurti ndër tjera e quajti edhe kriminale e të rrezikshme, të cilët sipas saj “për dy dekada u bënë zëri shqiptar i propagandës armiqësore duke gënjyer”.
“Ata që për më shumë se dy dekada u bënë zëri shqiptar i propagandës armiqësore duke gënjyer, duke akuzuar dhe duke linquar jo vetëm kundërshtarët politik, por edhe vlerën më të madhe të kombit,luftën për liri, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sot e vërtetuan se janë në koordinim të plotë me Milan Radojçiqin.
Albini e Mimoza, si dy politikanë sinonim për degradim personal dhe për zhveshje të politikës nga çdo nuancë e moralit njerëzor, duhet të japin llogari për pazaret me kriminelët serb të cilët po e mbajnë peng Kosovën.
Këta dy ekzemplarë të çorodotur politikisht dhe njerëzisht do të ballafaqohen me mentalitetin që e krijuan vet.
Nuk është më çështje e gjykimit moral, është koha për të folur ligji”, tha deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, duke shtuar se “tana me u falë, tradhtia nuk falet”.