Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka bërë një deklaratë të ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e quajtur atë “rrenc.”
Në fjalën e saj gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, Musliu tha se një kryeministër që ka “nder dhe arsye të shëndoshë” duhet të japë dorëheqjen dhe të mos e mbajë peng shtetin.
“Ti, Albin, the e kam nderin që po e çoj mandatin deri në fund. Jo, Albin, ti nuk ke nder, nuk e di çka është nderi. Ti ke turp – turpin që ke mbajtur këtë shtet peng me zero zhvillim, me dialog në favor të Serbisë, me sanksione nga BE-ja dhe me ministra antikushtetues,” tha ajo.
Musliu shtoi se Kurti po “dorëzon shtetin” dhe se periudha e tij pesëvjeçare në pushtet do të mbahet mend si një nga më të errëtat për Kosovën.
“Do të mbetesh në histori si një rrenc destruktiv, antishtetëror, antikombëtar. Ti je turpi i këtij vendi,” përfundoi Musliu.