Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka kërkuar nga qytetarët të protestojnë për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Musliu e konsideron se Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me dhunë dhe si e tillë duhet të shkoj në shtëpi.
“Ju ka kalu koha, ju ka kalu koha duke i akuzu qeveritë e kaluara, është koha të kfilleni. Qytetarë [të Kosovës], nëse qytetarët e Gjermanisë marrin guximin për të protestuar për të drejtat e tyre, pse ju jo? Kjo Qeveri e meriton me dhunë si ka ardhë në pushtet me dhunë të shkojë në shtëpi”, ka thënë Ganimete Musliu në Seancën e jashtëzakonshme për energjinë elektrike.
Musliu në fjalimin e saj ka thënë se qytetarët e Kosovës janë varfëruar për shkak të politikave të dëmshme të ekzekutivit.
Sipas saj, në ditët e para të këtij viti, mbi 20 ushtarë e kanë lënë Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Një popull që s’po mund ta ngopë me bukë, nuk do të mund t’i mobilizojë, ashtu siç po thërret, për luftë. Sot kur po flas në këtë foltore, për 17 ditë që kanë kaluar të këtij viti, mbi 20 ushtarë të FSK-së janë demobilizuar. Dhe numri është në rritje çdo ditë”, ka shtuar ajo