Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka deklaruar se partia e tij, është e gatshme për zgjedhje, por nuk janë për këtë opsion.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hekuran Murati ka thënë se subjekti i tij politik si fituese e ka të drejtën e propozimit të kandidatit dhe këtë të drejtë e ka shfrytëzuar duke e propozuar Albulena Haxhiun.
Murati theksoi se Vetëvendosje nuk po e bllokon procesin, pasi deputetët e saj po e mbështesin kandidaturën e Haxhiut, bashkë me disa vota nga minoritetet.
Ai vlerësoi se ka progres në këtë drejtim, duke përmendur se në seancën e fundit votuan 41 deputetë kundër propozimit të LVV-së, një numër më i vogël krahasuar me seancat e kaluara.
Sipas tij, Kushtetuta ia njeh të drejtën vetëm partisë fituese për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Ministri në detyrë i Financave, njëherësh deputet i LVV-së, theksoi gjithashtu se subjekti i tij nuk dëshiron të çojë vendin në zgjedhje të reja parlamentare.
“Ne nuk jemi për skenarin e fundit që do të ishin zgjedhjet, mirëpo në një situatë të tillë, kur deputetët po refuzojnë të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre për të konstituar Kuvendin, atëherë kjo do të nënkuptonte se shteti nuk mund të mbetet pafundësisht pa Kuvend të konstituuar”, tha Murati.