MPJD njofton se 26 kosovarë gjenden në Izrael: Asnjë i lënduar

Mbrëmjen e së martes Izraeli u sulmua nga Irani me 181 raketa.

Andaj, mbi 10 milionë izraelitë u detyruan të evakuuohen dhe të strehohen në vendet e sigurta.

Deri më tani raportohet se janë regjistruar nëntë viktima nga ky sulm.

Klankosova.tv u interesua dhe pyeti në Ministrinë e Jashtme dhe Diasporës, lidhur me numrin e kosovarëve që gjenden në zonat e konfliktit në Liban dhe Izrael.

Leutrim Sahiti, këshilltar politik i ministres Donika Gërvalla – Schwarz, bëri të ditur se në Izrael janë 26 kosovarë.

“Kryesisht të angazhuar me punë në organizata ndërkombëtare. Në këtë grup hyjnë edhe katër shtetase të mitura që janë nxënëse në shkollat e mesme në Izrael”, tha Sahiti.

Sahiti tutje konfirmoi se nuk ka asnjë të lënduar në mesin e tyre nga sulmi i fundit i Iranit ndaj Izraelit.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael, ka qenë në komunikim të vazhdueshëm, me të gjithë qytetarët tonë që aktualisht ndodhen në shtetin e Izraelit dhe gjendja e tyre është e mirë”, theksoi ai.

Ai theksoi se Ambasada ka qenë po ashtu në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet izraelite, dhe sipas informacioneve zyrtare nuk ka pasur plane për evakuime brenda shtetit të izraelit, ose të shtetasve të huaj për largim nga Izraeli, pasi aeroportet dhe hapësira ajrore kanë qenë të mbyllura.

“Nga mëngjesi i sotëm gradualisht ka filluar të operojë aeroporti Ben Gurion, me disa fluturime të rregullta”, shtoi Sahiti në përgjigjen e tij.

“Ndërsa nisur nga fakti që Republika e Kosovës nuk ka prezencë diplomatike në Liban, zyrtarisht nuk kemi të dhëna zyrtare lidhur me numrin e shtetasve kosovarë që jetojnë atje”.

Këshilltari politik i ministres Gërvalla, ndër të tjera tha se megjithatë se ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael (Jerusalem), si dhe ambasada e Republikës së Kosovës në Arabi Saudite (Riad), janë në gatishmëri të plotë për të ndihmuar secilin qytetarë të Kosovës që ndodhet në këtë zonë të konfliktit.

“Për këtë arsye MPJD ka vënë në shërbim linja telefoni emergjente që i gjeni më poshtë, ku të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë në atë shtet mund të kontaktojnë dhe të kërkojnë ndihmë 24/7”, tha ai.

Numrat e telefonit në dispozicion:

Izrael:

+972 586340450
+972 525033152

Arabi Saudite:

+ 971 54 7092109

+ 966 11 453 5799

Turqi:

+90 5311 056 391

+900 312 446 70 54

Kosovë:

+383 46 41 00 41

+383 46 51 00 51