Gjashtë fluturime të cilat ishin paraparë të realizoheshin dje nga Aerporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, u anuluan si shkak i motit të lig. Kjo u konfirmua nga zëvendësdrejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigimit Ajror, Driton Ujkani.
Ujkani tha se ishin anuluar katër fluturime nga Zvicra dhe dy nga Gjermania.
Për shkak të motit të keq janë anuluar gjashtë fluturime. Katër fluturime kanë qenë Zvicër-Prishtinë dhe anasjelltas dhe dy të tjera Gjermani – Prishtinë dhe anasjelltas. Anulimet janë bërë për shkak të kushteve atmosferike që po mbretërojnë aktualisht në Prishtinë. Ndërsa fluturimet tjera gjatë ditës së sotme janë realizuar sipas planit të paraparë“, tha Ujkani.
“Në fakt këto fluturime ishin me sistem vajtje ardhje, pra ishin tre aeroplanë kështu llogariten gjashtë fluturime. Ka raste kur vonesa e shtyrje ka edhe në Gjermani dhe Zvicër, e ato afektojnë udhëtarët edhe këtu tek ne. Bile në Gjermani, sa herë që ka mot të lig, shi, bubullimë, erëra të forta etj, fluturimet shtyhen, anulohen”, shpjegoi ai.