Qeveria e Kosovës s’ka ndryshuar qëndrim, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kërkojnë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Express thotë se për Asociacionin nuk ka ndryshuar as qëndrimi i Unionit.
“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Kosova ka hyrë në marrëveshje për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave Serbe. Kjo marrëveshje është lidhur me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Nuk është tërhequr asnjëherë”, tha Stano.
Duke kujtuar se Marrëveshja e vitit 2013 u ratifikua në Kuvend me 2/3 e votave të deputetëve, Stano thotë se Kosova ka obligim ndërkombëtar që ta zbatojë atë.
Kryeministri Albin Kurti e kishte shpallur të vdekur Asociacionin, duke thënë se formini i tij i shkon për shtati vetëm Beogradit dhe duke përsëritur se ajo marrëveshje ishte shpallur jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Këtë të fundit, Stano e quan keqinterpretim.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 në lidhje me Asociacionin/Bashkësinë është keqinterpretuar rregullisht. Gjykata asnjëherë nuk tha se Asociacioni/Bashkësia nuk mund/nuk duhet të themelohet”, thotë Stano.
Prandaj, zëdhënësi i BE-së thotë se “presim që Kosova t’i respektojë zotimet që ka marrë në Dialog”.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe planifikohet të jetë pjesë e rëndësishme e marrëveshjes që Kosovës dhe Serbisë po iu kërkohet ta nënshkruajnë brenda javësh. Emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar tha se mëngjesin e së mërkurës me presidenten Vjosa Osmani kanë folur për mënyrat e ndryshme se si mund të formohet ky asociacion.
Për Escobarin, më e rëndësishmja është që Asociacioni “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet t’u përmbahet ligjeve të Kosovës dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës”.
Qeveria, ndërkohë, bëri të ditur se është kundër këtij asociacioni. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i tha të njtën Expressit se qëndrimi për këtë çështje “është i njohur, i qartë dhe i njëjtë”.
“Asociacione që karakter themeltar kanë etninë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vet karakterit e shtetit tonë. Për më tepër, komunitetet joshumicë kenë nevojë për integrim, jo izolim”, ka thënë Kryeziu.