“Mos shit moral” – Përplasje e ashpër ndërmjet Rashit Qalajt e Albulena Haxhiut

Ish-drejtori i Policisë tash deputet i PDK-së, Rashit Qalaj është përplasur ashpër me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Gjithçka nisi nga një deklaratë e Haxhiut e cila përmendi Qalajn dhe SYlë Hoxhën, që sipas saj, kanë qenë persona që kanë dashur ta etiketojnë VV-në si organizatë terroriste.

“Shumë mirë e dini që LVV-në kanë pas me shpall organizatë të paligjshme dhe kjo ka ndodh, figurat kryesore që kanë pas tendencë të tillë kanë qenë në krye të institucioneve të drejtësisë. “Si ka mundësi që prej Prokurorisë shkon në LDK e prej Policisë shkon në PDK, unë këtë e kisha ndalu me ligj”, tha Haxhiu në Kuvendin e Kosovës.

Reagimi i deputetit Qalaj ka qenë i ashpër. Ai i tha Haxhiut të mos shet moral, pasi “mund t’i kthehet bumerang”

“Ministre me na shit moral është bukur mirë, por jo nga ju. Ju e dini ministre e nderuar çka keni ba në këtë Kuvend. Është turp me fol për këtë sen ju. Nuk po du me shku ma gjatë, ne jemi deputet dhe kem drejt me pas mendimin tonë. Jini më e kujdesshme kur i drejtoheni deputetëve se mundet me tu kthy bumerang”, deklaroi Rashit Qalaj.

Reagoi sërish ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“z.Qalaj për veprimet tona politike në këtë Kuvend jemi përgjigj para ligjit, jemi dënuar nga gjykata për ato, dhe asnjëherë nuk i bimë pishman për gazin lotsjellës. Për mua nuk është normale që një drejtor i policisë sapo ta përfundoj mandatin të shkoj në parti politike. E kam për ty sepse do të ishte mirë që të prisje së paku një kohë e pastaj t’i bashkoheshe një partie”, deklaroi ajo.

Në këtë seancë nuk arriti të miratohej Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë, pasi nuk pati kuorum.

/Nacionale/