Ministria e Financave ka filluar pilotimin e reformës se skemës të asistencës sociale, që financohet nga Banka Botërore. Skema e re ka për qëllim eliminimin e kritereve diskriminuese në skemën aktuale shtetërore dhe nxitjen e punësimit.
Shumë familje që marrin ndihmë sociale në Kosovë, i janë nënshkruar formave të ndryshme të diskriminimit si pasojë e disa kritereve të skemës shtetërore të ndihmës sociale.
Për të eliminuar diskriminimet, Ministria e Financave, muajin kaluar, ka filluar një proces reformues të skemës së ndihmës sociale.
Ekspertja e komunikimit në kuadër të këtij projekti, Elvira Berisha, i tha Radio Kosovës së ky reformim ka për qëllim krijimin e barazisë dhe uljen e varfërisë.
“Kjo reformë është dizajnuar me qëllim të shtrirjes së barazisë, eliminimit të diskriminimit që aktualisht ka skema e asistencës sociale, tha Berisha.
Po ashtu, Berisha ka shpjeguar se skema e re është dizajnuar ashtu që të përfshijë dhe t`i arrijë sa më mirë grupet më të varfra të vendit,sidomos “aktivizimin e përfituesve të skemës sociale në tregun e punës”.
Berisha potencoi se ky proces është i rëndësishëm ngase të dhënat e nxjerra nga ky pilotim do të shërbejnë për hartimin e projektligjit për skemat sociale.
“Mësimet e marra prej këtij pilotimi që ka filluar tash, do të reflektohen edhe në projektligjin për mbrojtje sociale dhe në skemën sociale që aktualisht është duke u përgatitur”, ka sqaruar Berisha.
Pavarësisht paralajmërimeve për ndryshme rrënjësore në skemën sociale, për shumë qytetarë është ende i paqartë procesi i reformimit dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ”keqkuptimi kryesor është se kush mund të aplikojë dhe kush kualifikohet për përfitim”.
Murati ka sqaruar se kjo është vazhdimësi e skemës së ndihmës sociale ekzistuese, por dallimi është te heqja e kritereve diskriminuese, siç është ai për të pasur fëmijë nën 5 vjeç.
Gjithashtu me skemën e re nuk e ndërpritet me automatizëm ndihma sociale, që në muajin e parë që familja fillon të gjenerojë të ardhura, por i jepet një mundësi për të përfituar nga skema sociale të paktën edhe tre muaj të tjerë.
Megjithatë ende nuk është e qartë nëse skema sociale që paralajmërohet se do të eliminojë kriteret diskriminuese do të rris shumën përfitimin për familjet që përfshihen në këtë kategori, që aktualisht është në vlerë prej 60 deri në 180 eurosh varësisht nga numri i anëtarëve të familjes.