Ministria e Financave s’i ekzekuton pagat për një pjesë të punonjësve në komunën e Vitisë, faj kjo e fundit

Ministria e Financave ka njoftuar se Komuna e Vitisë nuk ka siguruar buxhetin e nevojshëm për pagat e punonjësve, duke lënë disa kategori të punonjësve pa pagesa për muajin shtator.

Sipas njoftimit, ndonëse buxheti për paga ndahet për të mbuluar shpenzimet e vitit, disa komuna, përfshirë Viten, kanë hasur vështirësi për shkak të rasteve përmbarimore.

Thesari i Kosovës ka informuar në mënyrë të përsëritur komunat për të bërë rregullimet e nevojshme që të sigurojnë buxhet të mjaftueshëm. Të gjitha komunat e kanë realizuar këtë përjashtim të Vitisë, e cila nuk ka arritur të sigurojë financa për programet e arsimit fillor dhe të mesëm.

Sistemi automatizues i pagave ka refuzuar ekzekutimin e pagave për këto programe, ndërsa ka mundësuar pagesat për zyrtarët e kryetarit dhe administratën.

Ministria e Financave ka shprehur gatishmërinë për të ri-ekzekutuar pagat për programet e arsimit, por vetëm pasi Komuna e Vitisë të bëjë rregullimet e nevojshme dhe të sigurojë buxhetin e mjaftueshëm.