Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se vendi po përafrohet me Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO)-n ndërsa foli edhe për pengesën që katër vendet mosnjohëse përbëjnë për anëtarësimin e vendit.
Por, Maqedonci beson se nga vizitat e kryera në vende anëtare të NATO-s ai është siguruar se po vazhdon mbështetja për anëtarësimin e vendit në këtë aleancë të madhe ushtarake.
“Vendi ynë po përafrohet me NATO-n por dihet që vendimi për anëtarësim në NATO është vendim politik dhe varet nga vullneti i shteteve anëtare. Në këtë aspekt hezitimi për mbështetje i shteteve mos-njohëse brenda NATO-s vazhdon të mbetet pengesa kryesore në procesin e anëtarësimit”, tha Maqedonci për Klan Kosovën.
“Në anën tjetër gjatë të gjitha vizitave që kam realizuar në vendet partnere si SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Turqi, Itali, Kroaci, Finlandë dhe vende të tjera jemi siguruar që mbështetja e këtyre vendeve për anëtarësimin e Kosovës në NATO do të vazhdoj dhe do rritet edhe më shumë”, ka thënë Maqedonci.