Një 45-vjeçar është arrestuar në hyrje të Rrëshenit, pasi është kapur duke transportuar mina me telekomandë.
Uniformat blu bëjnë me dije se 45-vjeçari ishte nisur nga Lura në drejtim të Rrëshenit për të transportuar municion luftarak. Arrestimi i 45-vjeçarit Arili Kalija lindur në Thumanë u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Safe City 2”.
Gjatë kontrollit në banesë në Lurë, Policia i gjeti 2 armë zjarri, lëndë eksplozive, kapsolla detonatore, qindra fishekë luftarak dhe fitil zjarrpërcjellës.
Ndërsa gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi:
•4 mina me telekomandë te lidhura me aparat celular me lëndë të dyshuara eksplozive;
•3 kallëpe lënde të dyshuar eksplozive me kapsollë dhe fitil;
•3 kapsolla të lidhura me fitil;
•2 kallepë të tjera lënde të dyshuar eksplozive.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrolleve në banesën e vjetër të babait të shtetasit të arrestuar, në Lurë, Dibër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me Policinë e Dibrës, gjetën në banesë 2 armë zjarri, lëndë eksplozive si ajo që ishte montuar në minat me telekomandë, 10 ndezësa granatash ofensive/defensive, 10 kapsolla detonatore, dhjetëra metra fitil zjarrpërcjellës, si dhe qindra fishekë luftarak.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Dy muaj e gjysmë më parë, Policia vuri në pranga një 28-vjecar dhe sekuestroi 2 mina me telekomandë.