Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se tashmë është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit të dyshuar për fajde, i cili u arrestua të martën në Pejë.
Ky rast, sipas zëdhënësit të prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi ka ardhur pas apelit të bërë në emisionin televiziv FIVE, ku është theksuar rëndësia e raportimit të rasteve të fajdes tek prokuroria e shtetit.
“Viktima ka ardhur te prokurori i shtetit e ka lajmëruar rastin dhe ka kërkuar ndihmë nga prokuroria e shtetit , dhe e gjithë kjo ka ardhur nga apeli që e kemi bërë posaçërisht në emisionin FIVE, ku kemi bërë apel viktimave të fajdes që dera e prokurorit të shtetit është e hapur dhe njëkohësisht gjatë 24 orëve është në gjendje t’i dëgjoj viktimat dhe njëkohësisht të inicioj raste në drejtim të veprës penale fajde, një dukuri mjaftë shqetësuese”, ka thënë Nikçi në emisionin FIVE.
Nikçi ka bërë të ditur se rasti përfshin dëmtime të mijëra eurove dhe shpreson që seanca dëgjimore për vendosjen e masës së paraburgimit të mbahet nesër.
Prokuroria e shtetit, pra do të vendosë për masën e paraburgimit në këtë seancë.
Ai ka shtuar se prokuroria është në dispozicion 24 orë për të dëgjuar viktimat dhe për të inicuar raste në drejtim të veprës penale të fajdes, një dukuri mjaft shqetësuese.
Sipas Nikçit, i dyshuari është arrestuar pas hetimeve intensive të kryera nga Drejtoria e Krimit të Organizuar dhe sektori i hetimeve në Pejë.
“Personi është hetuar përmes teknikave të veçanta hetimore dhe është arrestuar nga policia e FIT-it. Pas intervistimit, është ndaluar për 48 orë dhe para pak minutave është dorëzuar kërkesa për paraburgim nga prokuroria”, ka theksuar ai.