Shkruan: Lutfi Dervishi
Ilir Meta mund të ishte sot duke dhënë mësim në fakultet por, ende pa mbaruar studimet në dhjetor të 90-tës, vendosi t’i futej rrugës se politikës për të kapur, si rrallë kush brenda tri dekadash, majat e profesionit të dytë me të vjetër në botë, politikës, si ministër, Kryeministër, Kryetar Parlamenti dhe President republike.
Të hënën, ai u arrestua rrëmbyeshëm me akuzat për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion. Bashkëshortja e tij dhe bashkudhëtarja politike deri para pak muajsh, hetohet në gjendje të lirë.
Akuza do duhet të provoje në gjykatë se “çfarë ka marrë Meta”, ndërkohë historia do të vlerësojë edhe çfarë ka dhënë ai në këto 30 vite.
I vetëbërë në politikë, Meta u bë Kryeministri me i ri i tranzicionit, në moshën 29 vjeçare. I vlerësuar si kryeministër i suksesshëm më 1999-2001, Meta synoi shumë shpejt gjithçka. Dha dorëheqjen pas përplasjeve me kryetarin e PS-së, Nano dhe u nxitua të krijonte LSI- në, më 2004. Nëse do të kishte përvojë e durimit strategjik, një vit me pas ai mund të ishte kryetari i natyrshëm i PS-së.
Me LSI-në, Meta arriti të thyej përkohësisht dypolin PS-PD.
Forca e krijuar prej tij bëri të mundur rotacionin më 2005 dhe 2013.
Aleanca me PS-në, më 2013 i dhuroi pushtet për herë të dytë LSI-se, pas 4 vjeçarit me PD-në. Aleanca me Ramën është dhe fillimi i fundit të LSI-së.
Kur partia e krijuar prej tij nuk mundi të luante rolin e “king maker”, mbeti vetë “king”.
Katër vjet kryetar Parlamenti dhe 5 vjet President i Republikës ishin dhe majat e pushtetit personal të Metës. Nga lartësia e kreut të shtetit ai përballoi dy “impeachment” nga shumica që e zgjodhi, por pa edhe rrudhjen e LSI-së që u mundua ta ripërtërijë, pas mandatit presidencial (2017-2022) duke e riformatuar si Partia e Lirisë.
“Pushteti lodh ata që nuk e kanë”! Lëre pastaj ata që e kanë! Kjo maksime u provua me Metën dhe partinë e tij.
Akuzat për korrupsion, përballjet me vite me prokurorët, paranoja që sjell, për cilindo qoftë, pushteti i gjatë, retorika e pa kontrolluar, i sollën kosto politike, familjare dhe, se fundmi, edhe ligjore.
Në gjykatë Meta do të ballafaqohet me një hetim pesë vjeçar të SPAK për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion.
Meta sot po përjeton një nga episodet më të errëta të karrierës së tij. Ashtu siç historia do të tregojë çfarë ai ka dhënë për politikën shqiptare dhe për vendin, drejtësia do të tregojë se çfarë ka marrë prej tyre. Tani, beteja e radhës e Metës është me drejtësinë që mund të vendose epilogun e një karriere të mbushur me kontradikta. Në politikë ai ka vërtetuar thënien se mund të vdesë disa herë!