Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për një aksion të Krimeve Ekonomike në asistim me Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë, që zbarkuan sot në shtatë barnatore në Prishtinë, ku janë kryer kontrolle nën dyshimin se po bëhet shitja e produkteve farmaceutike të kontrabanduara, të cilat paraqesin rrezik për qytetarët. Në dy prej tyre, janë gjetur një sasi e barnave pa banderola, me ç’rast pronarët janë shoqëruar në stacion policor.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se njëra nga barnatoret ku u sekuestruan barna të tilla është barnatore Salihaj, ku u zbulua një sasi e barnave pa banderola, të cilat u gjetën të fshehura në një pjesë lokalit dhe dyshohen se janë kontrabanduar.
Sinjali mëson se pronari i kësaj barnatore është Gzonit Salihaj, i cili është arrestuar, nën dyshimin për dy vepra penale “Kontrabandim i mallrave’’ dhe ‘’Tregtia e ndaluar’’.
Në këtë aksion policor, përveç Policisë dhe Inspektorëve, kanë intervenuar edhe njësitë e Doganës së Kosovës, me ç’rast janë sekuestruar të gjitha barnat që dyshohen se janë kontrabanduar.
Përveç tij, Sinjali mëson se edhe pronari i një barnatoreje tjetër tashmë ndodhet në prangat e Policisë, nën dyshimin për veprat e njëjta penale.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. / Gazeta Sinjali