Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar me insistimin et ij se raportet me SHBA-në s’janë prishur pas vendimit të fundit për dinarin, ndonëse zyrtarë të lartë të Qeverisë Amerikane, duke filluar nga Jim O’Brien e duke vazhduar më pas me emisarin Gabriel Escobar e duke përfunduar me ambasadorin amerikan në Prishtinës, Jeff Hovenier, kanë potencuar të kundërtën.
Uashingtoni zyrtar duket se tashmë nga deklaratat për prishje raportesh me Qeverinë e Kosovës që drejtohet nga kryeministri, Albin Kurti, kanë kaluar në veprime konkrete që sinjalizojnë nivelin tepër të ulët të raporteve të Qeverisë Amerikane me Qeverinë Kurti, shkruan Express.
Zyrtarja e lartë e USAID, Erin E McKee, ka qëndruar dje për një vizitë zyrtare në Kosovë. Megjithatë ajo është takuar vetëm me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
McKee ka thënë se përkushtimi i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar ndaj popullit të Kosovës do të mbetet i palëkundur, pavarësisht që mund të ketë raste të mosmarrëveshjeve me “qeveri specifike”.
“Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri specifike, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm”, ka deklaruar McKee pas takimit me presidenten Osmani.