Mediumi kroat bën të ditur se Damasku ka marrë vendimin për të njohur shtetin e Kosovës, duke e quajtur këtë hap një goditje të rëndë për Beogradin dhe politikën e jashtme serbe.
Sipas raportimit të mediumit kroat “Večernji list”, Siria ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke shënuar një kthesë të papritur në qëndrimin e saj diplomatik. Vendimi i Damaskut është cilësuar si një “dush i ftohtë” për presidentin e Serbisë, për shkak të marrëdhënieve të ngushta politike dhe ekonomike që kanë ekzistuar mes dy vendeve gjatë viteve të fundit, raporton Gazeta Express.
Sipas mediumit kroat, Siria ka qenë tradicionalisht ndër aleatet e Serbisë, veçanërisht gjatë periudhës së regjimit të Bashar Al Assadit, kur lidhjet me Moskën dhe Vladimir Putinin ishin tejet të forta. Në atë kohë, Siria, së bashku me Rusinë dhe Iranin, kishte shprehur mbështetje të hapur për “integritetin territorial të Serbisë” dhe nuk e kishte njohur Kosovën.
“Serbia, e cila nuk vendosi sanksione ndaj Sirisë pavarësisht kërkesave perëndimore, ka mbajtur marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike me Damaskun. Së bashku me Rusinë dhe Iranin, Siria ishte ndër vendet e pakta që mbështetën fuqimisht integritetin territorial të Serbisë. Pikërisht për këtë arsye shumë në Beograd e shohin njohjen e sotme të Kosovës nga Damasku si një tradhti dhe një goditje serioze për politikën e jashtme serbe,” shkruan “Večernji list”.

