Media serbe nxjerr dokumentin kur Vuçiq ishte sanksionuar më 1999 si Ministër i Informacionit të Millosheviqit

Sanksionimi i kryeshefit famëkeq të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, nga Thesari amerikan i Shtetit, tashmë është bërë brum për debat të ashpër dhe protesta të mëdha në Beograd për shkarkimin e tij, ndërkaq ndihma e parë ndaj tij i erdhi nga Presidenti i Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, i cili madje në një paraqitje televizive, duke provuar ta relativizojë rëndësinë dhe peshën e këtyre sanksioneve, u shpreh se “edhe mua më patën sanksionuar më 1999, kurrë s’jam bërë merak në të vërtetë”.

Media opozitare serbe “Nova.rs” ka publikuar dokumentin e vitit 1999 kur Vuçiq shërbente si Ministër i Informacionit në pushtetin gjenocidial të Sllobodan Millosheviqit.

Në kohën kur sanksionet ishin vendosur ndaj asaj që kishte mbetur se Republika Federale e Jugosllavisë më 1999, aty ishte edhe Vuçiq si pjesë e asaj qeverie. Sanksionet më të mëdha i drejtoheshin Millosheviqit, rikujton “Nova”, nga Këshilli i Bashkimit Evropian, baz uar në Traktatin e BE-së.

Në këtë dokument të botuar, thuhet se Këshilli i referohet vendimit të 8 prillit 1999, i cili mbështet qartë vazhdimin e sanksioneve kundër regjimit të atëhershëm në Jugosllavi. Sipas atij dokumenti, sanksionet duhet t’i drejtohen regjimit serb, pa i dënuar qytetarët e Serbisë.

“Këshilli ra dakord të zbatojë vendimin për ndalimin e shitjes dhe furnizimit të naftës dhe derivateve të naftës deri më 30 prill 1999, për të hequr regjimin e ndalimit të udhëtimit në BE, moratoriumin e kredive, zgjatjen e ndalimit të investimeve të reja dhe shumë ndalime të tjera”, shkruam mediumi serb.

“Rrjedhimisht, u mor vendim që të mos jepen viza për presidentin Sllobodan Millosheviq dhe familjen e tij, por edhe për të gjithë ministrat dhe zyrtarët e lartë të Jugosllavisë që mbështesin Presidentin Millosheviç. Me emër përmendej vetëm presidenti Millosheviq, ndërsa në nivel të formulimit të përgjithshëm përmendeshin ministra dhe zyrtarë të lartë të Qeverisë, si dhe drejtues të forcave ushtarake dhe policore, persona të përfshirë në aksione represioni, anëtarë të SPS-së”.

Ky dokument shërbeu si bazë për marrjen e një vendimi më 13 shtator 1999, me të cilin Këshilli miratoi një vendim për vazhdimin e sanksioneve kundër RFJ-së së Jugosllavisë. Në vendim thuhet se sanksionet do të synojnë fillimisht Sllobodan Millosheviqin dhe familjen e tij, duke përfshirë gruan e tij Mirjana Markoviq, djalin Marko dhe vëllain Borislav, shkruan Nova.

Për herë të parë përmenden në mënyrë eksplicite ministrat e atëhershëm në Qeverinë e udhëhequr nga Momir Bulatoviq. Ministri i atëhershëm i Informacionit tël Serbisë dhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte në listën e ministrave dhe zyrtarëve të lartë të cilët ishin subjekt i sanksioneve nga BE-ja.

Mandati i tij ministror u shënua me faktin, siç e rikutjojnë mediat serbe, se nënshkroi Ligjin për Informimin Publik, i cili u kujtua për dënimet drakoniane për mediat, si dhe mbylljen e redaksive të “Dnevni Telegraf”, “Evropljanin” dhe “Naše Borba”.