Janë bërë më shumë se dy vjet që nga dështimi i votimit të projektkodit civil, që ndër të tjerash rregullon regjistrimin e bashkësive civile ndërmjet personave të të njëjtit seks. Për të ndërtuar shumicën parlamentare për votimin e këtij projektkodi, zotimin e ka marrë tashmë kryeministri Kurti, ndërsa nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se drafti është i gatshëm por se do ta procedojnë kur të kenë mbështetje në Kuvend.
Më 16 mars të vitit 2022, votimi i projektkodit civil qe në rend të ditës, mirëpo nuk arriti të kalojë në lexim të parë. Në momentin e votimit, në sallë ishin 77 deputetë, prej të cilëve 29 votuan kundër, 28 për, 4 abstenuan, ndërsa 16 nuk morën pjesë në votim.
Ndonëse ishin dhënë disa afate, ky projekt kod qe më shumë se dy vjet nuk është proceduar më në Kuvend. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka bërë disa ndryshime, por ministrja Haxhiu ka deklaruar se “nuk është bindur që mund ta procedojnë në Kuvendin e Kosovës nëse nuk janë të bindur se mund të kalojë”.
Në një përgjigje për Gazetën Express, nga Ministria e Drejtësisë, kanë thënë se drafti për Kodin Civil është i gatshëm, derisa kanë shtuar se do ta procedojnë në Kuvend kur të ketë mbështetje.
“Siç jeni në dijeni, drafti i Kodit Civil është i gatshëm. Është e rëndësishme që i njëjti të kalojë në Kuvend prandaj do të procedohet kur të sigurohemi që do ta ketë mbështetjen në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MD’së për Express.
Ditë më parë, kryeministri Kurti ka thënë se “personalisht do ta ndërtojë një shumicë parlamentare” për votimin e këtij projektkodi, që gjen refuzim të madh te deputetët e partisë që udhëheq vetë ai.
“Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjve tanë, Malit të Zi, duke ua ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të të njëjtit seks. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt”, tha Kurti gjatë një fjalimi në shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Europës, të organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) e kancelarit Olaf Scholz.
“Për këtë unë personalisht do ta ndërtoj një shumicë parlamentare dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”, tha ai.
Një nga deputetët e VV’së që kundërshtojnë këtë projektkod është Eman Rrahmani. Së fundi, ai ka thënë se është rritur numri i deputetëve që do të votojnë kundër.
“Po kryeministri Kurti edhe para dy vitesh është marrë me këtë, kemi pasur diskutime edhe në Grupin Parlamentar mes deputetëve, mirëpo këto janë qëndrime të deputetëve, të cilët vendosin për votën e tyre se si do të votojnë për çështje të caktuara. Kurse sa i përket Kodit Civil, unë besoj që kurdo që vjen do të ketë vota edhe më shumë kundër se sa që ka pasur para 2 viteve, në raport me të. Të paktën nga diskutimet që kam pasur unë me deputetët, ka deputetë të cilat kanë votuar pro herën e kaluar dhe tani janë kundër”, ka thënë ai për Gazetën Blic.