Seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj të akuzuarave Aurora Pelaj, Altina Rexhepi dhe Remzije Kuqi, për sulmin ndaj të moshuarës në strehimoren “Orenda” në Pejë, është mbyllur për publikun.
Gjyqtarja e rastit mori vendim që të mbyllet seanca e sotme, duke shtuar se kundër këtij aktvendimi, nuk lejohet ankesë e veçantë.
Ndrshe, Prokuroria Themelore në Pejë më 4 maj 2023, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tri të pandehurave Aurora Pelaj, Altina Rexhepi dhe Remzije Kuqi, për sulmin ndaj një të moshuare në strehimoren “Orenda” në Pejë. Ato akuzohen se në cilësinë e infermiereve në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë përdorur forcë ndaj të moshuarës, e cila ishte e vendosur në ketë strehimore.
“Në atë mënyrë që pasi të pandehurat planifikojnë ta vënë nën kontroll viktimën e ndjeshme, me kërkesën e të pandehurës A.P., e pandehura R.K., e incizon me telefon, kurse e pandehura A.R., e kap përdore viktimën duke e mbajtur, e pandehura A.P., e godet disa herë me shuplakë viktimën e tri herë me gjunjë në pjesë abdominale, e të gjitha këto veprime përcjellën me video incizim dhe të qeshura nga tri të pandehurat”, thuhej në njoftimin e prokurorisë.
Sipas aktakuzës me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurat kanë përmbushur elementet e veprës penale “Sulmi”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurat të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.
“Gjithashtu në departamentin e krimeve të rënda në këtë prokurori janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për procesin e strehimores për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit”, thuhej tutje në njoftim.
Ndryshe, Gjykata Supreme më 25 nëntor 2022 i kishte liruar nga paraburgimi tri infermieret e dyshuara se sulmuan një të moshuar në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë.
Më 3 nëntor 2022, Gjykata Themelore në Pejë ua kishte caktuar nga një muaj paraburgim të pandehurave Aurora Pelaj, Altina Rexhepi dhe Remzije Kuqi, të cilat ngarkohen për sulm ndaj të moshuarës në qendrën e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Pas këtij rasti, katër infermiereve Oda e Infermierëve të Kosovës ua ka hequr licencat e punës. Kurse, qendrës “Orenda” iu revokua licenca pas inspektimit që i ka bërë asaj qendre Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale.
Arrestimi i tri të dyshuarave erdhi pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, ku shihej se si një e moshuar keqtrajtohej në atë. Rasti në fjalë kishte nxitur reagime të shumta në publik, raporton Betimi për Drejtësi.