Mbi 300 raste të reja me kancer brenda dy muajve në Kosovë

Mbi 300 raste të reja me kancer janë shënuar gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti në Kosovë. Ndërkaq, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i rasteve është rritur për mbi 10 për qind.  Derisa kanceri i gjirit vazhdon të dominojë tek gratë, tek meshkujt është ai i mushkërive.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi, në një intervistë për KosovaPress thotë se numri i rasteve të reja me kancer është trend në rritje, derisa potencon se pritet që në fillim të muajit majit të përfundojnë renovimet e kësaj klinike.

Kurtishi përmend disa nga faktorët që ndikojnë në shtimin e rasteve me këtë sëmundje malinje, duke përfshirë ata gjenetikë, të ambientit të jashtëm, moshën, gjininë e të tjerë.

Përveç këtyre, Kurtishi tregon se në gjatë muajit prill ose në fillim të muajit maj pritet që të përfundojnë punimet në Klinikën e Onkologjisë, për çka thotë se do të ketë zgjerim të kapaciteteve, duke përfshirë dyfishimin e numrit të shtretërve.

Krahas kësaj, drejtori i kësaj klinike thekson se do të bëhet edhe dixhitalizimi i shërbimeve, me ç’rast do të sigurohen informatat të sakta mbi aktivitete që zhvillohen në këtë klinikë.Kurtishi potencon se shumë shpejtë planifikohet të bëhet përgatitja më e sofistikuar e ilaçeve të cito statikëve, e cila sipas tij  do ta rrisë në maksimum sigurinë e ilaçit dhe të dozimit.

Ndër të tjera, profesionisti i shëndetësisë, Ilir Kurtishi potencon se shqetësues mbetet fakti që mbi 50 për qind e rasteve me kancer që lajmërohen në klinikë për herë të parë, janë në stade të avansuara të sëmundjes.

Ai shton se faktorët gjenetikë, ata të ambientit të jashtëm, mosha , gjinia e të tjera ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të reja me kancer.Renovimi i Klinikës së Onkologjisë ka filluar në fund të muajit tetor të vitit 2023. Ndërkaq, tani pacientët mund të marrin shërbimet onkologjike brenda objektit të Mjekësisë Sportive./kp/