Mbi 2 mijë persona kanë aplikuar deri tani për statusin e viktimave të dhunës seksuale

Mbi dy mijë persona kanë aplikuar deri më tani për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale. Kurse, pranë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, këtë vit kanë deponuar historitë e tyre 81 gra e burra.

Kështu u tha para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat Njeriut, ku u nënvizua se këtë vit ka më shumë raste të cilat janë trajtuar nga gjykata.

“Është gati i njëjtë trendi i aplikimeve. Është mirë që është zgjatur afati për dy vjet sepse po vazhdojnë aplikimet. I kemi 2083 raste, të aprovuar 1650, 316 të refuzuara. 40 raste janë në pritje, 50 janë të patrajtuara”, theksoi kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit, Leonora Selmani.

Duda Balje nga ky komision kërkoi më shumë informacion rreth trajtimit emocional të viktimave, për të cilat tha se ka raste që kanë pas vërejtje nga Komisioni, për faktin se kanë kërkuar të shohin shenjat e viktimave të dhunës.

“99 për qind e viktimave, këtë kanë pas problem, jo kriteret. Pas kaq shumë vitesh të vërtetojë se është viktimë e dhunës, si mundet. U është thënë ‘hiqe këmishën që ta shoh plagën, është qesharake, 25 vite pas luftës”, tha Balje.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha- Kollçaku, kërkoi nga Komisioni të mos ketë afat përfundimtar, marrë parasysh rëndësinë e aplikimeve.

“Nuk do ketë afat përfundimtar, derisa të përfundojë aplikimi, përgjegjësia juaj është më ndryshe e keni të domosdoshme të keni prova. Të gjitha vërejtjet dhe sugjerimit t’i merrni parasysh që mos të na ikin këto raste sepse është e vështirë që dikush të dalë e të dëshmojë për diçka që duhet ta harrojë e mos ta kujton për shumë arsye”, tha ajo.