Të premten në një lokal të ushqimit të shpejtë në Malishevë janë helmuar mbi 150 persona. Për këtë rast, tashmë është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit ndaj një personi, derisa gjendja e të helmuarve raportohet se është stabile.
Nënkryetari i komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, dhe drejtori i Shëndetësisë, Hajdin Berisha, dje i kanë vizituar pacitentët e helmuar nga ky qytet, të cilët po trajtohen në Spitalin e Prizrenit.
Sipas mjekut përgjegjës në Klinikën Infektive, Beram Karanezi, gjendja e pacientëve nga Malisheva është stabile.
“Sipas të dhënave, aktualisht janë duke u trajtuar 41 pacient nga Malisheva. Nënkryetari Krasniqi dhe drejtori Berisha, i kanë falënderuar mjekët dhe personelin e spitalit për gjithçka kanë bërë për trajtimin e pacientëve nga Malisheva dhe më pas i kanë vizituar pacientët e shtrirë në klinikat e këtij spitali”, thuhet në njoftimin e komunës.
Për rastin ka reaguar dje edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se menjëherë pasi janë njoftuar për rastin, bashkë me Drejtorin e SHSKUK’së i kanë vizituar të hospitalizuarit në Klinikën Infektive në QKUK.
Ai ka bërë me dije se në QKUK janë të hospitalizuar 11 qytetarë dhe 9 të tjerë në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit. Gjendja e tyre thotë se është e qetë dhe stabile.
“Mbrëmë, menjëherë pasi u njoftuam për rastin e helmimit të 68 qytetarëve në Komunën e Malishevës bashkë me drejtorin e SHSKUK-së i vizituam të hospitalizuarit në Klinikën Infektive në QKUK. Në QKUK të hospitalizuar janë 11 qytetarë dhe 9 qytetarë të tjerë janë në Spitalin e përgjithshëm të Prizrenit. Gjendja e të gjithë të hospitalizuarave pas marrjes së trajtimit mjekësor është e qetë dhe stabile. Inspektoratet dhe organet ligjzbatuese janë në terren dhe kanë marrë të gjitha të dhënat lidhur me rastin dhe burimin e shkakun e helmimit”, ka shkruar Vitia.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, ka thënë të shtunën në një konferencë për media se agjencia ka kryer inspektim të detajuar në biznesin e dyshuar.“Gjendja e përgjithshme sanitare, higjienike ka qenë e nivelit jo të mirë. Ky vlerësim është bërë nga ekipi inspektues. E dyta, nuk kanë pasur libreza sanitare punonjësit e atij lokali, që sipas ligjit kërkohet t’i kenë. Nuk ka pasur të kryer dezinfektim, deratizim dhe dezinsektime, që përsëri është kriter”.
“Po ashtu, aty janë gjetur disa produkte që ne i quajmë pa origjinë, nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës për t’u ditur origjina e tyre. Ka pasur produkte që janë gatuar brenda asaj kuzhine, dhe këto të gjitha janë fakte që do t’i evidentojmë në proces dhe më pas organet tjera do t’i vlerësojnë”.
Ai ka thënë se do të rriten inspektimet në bizneset që përgatisin ushqime të shpejta, sepse aty regjistrohen rastet më të shpeshta të helmimit.Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është përgjegjëse për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, përmes sigurisë ushqimore, që Kosova synon ta ketë sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, dje Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve për helmimin e 140 personave në Malishevë.
Në njoftim thuhet se prokuroria ka paraqitur kërkesën për paraburgim ndaj të pandehurit K.Sh., në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
I njëjti gjendet nën masën e ndalimit për 48 orë, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri K.SH, ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.